Data e Publikimit 25.02.2019 Nga Endrinë Rafuna & Genta Agaj
Në një treg pune i cili vazhdimisht raporton mospërputhje mes aftësive të kërkuara dhe atyre të mësuara në shkolla, kosovarët e rinj janë në kërkesë konstante për udhëzim rreth asaj se çfarë profesioni duan ta ndjekin në të ardhmen. Kjo është pjesa ku udhëzimi në karrierë hyn në punë, duke hapur shtigje për nxënësit e shkollave të mesme për zgjerimin e horizonteve të tyre me informacione rreth opsioneve të disopnueshme për profesione. Marrë parasysh burimet e kufizuara me të cilat gjimnazet në Kosovë ballafaqohen, Programi i USAID-it, ASSET, është një aleat mbështetës, duke ndihmuar nxënësit përmes ofrimit të udhëzimeve të nevojshme. Programi i cili është zyrtarisht i quajtur ‘After School Support for Teens’ është duke funksionuar që nga 2017 me aktivitete të ndryshme të cilat përforcojnë shkathtësitë si të mësimdhënësve, ashtu edhe të nxënësve, sidomos shkathtësitë që ngrisin punësueshmërinë dhe iniciativat ndërmarrëse. Një nga komponentët e Programit përpiqet ta adresojë problemin e mungesës së udhëzimit të karrierës në gjimnaze përmes përgatitjes së mësimdhënësve rreth orientimit në karrierë. Kurset treditore, të cilat janë mbajtur në gjimnazet “Xhevdet Doda” dhe “Hajdar Dushi” në Prishtinë dhe Gjakovë, ishin dizajnuar që t’i ngrisin kapacitetet e mësimdhënësve të këtyre gjimnazeve në mënyrë që t’u ofrojnë këto udhëzime nxënësve të tyre.
Në dy seancat e para, mësimdhënësit mësuan se çfarë është udhëzimi në karrierë dhe si mund t’i informojnë nxënësit e tyre më së miri, derisa seanca e tretë për mësimdhënësit ishte të paraqesin punën e bërë me nxënësit e klasës së 10, 11 dhe 12. Në përgjithësi, mësimdhënësit të cilët ishin trajnuar thanë se nxënësit i kishin pritur mirë orët e orientimit në karrierë, të cilat kishin ndihmuar hulumtimin dhe aftësitë e grupit. Mësimdhënësit kishin përfshirë edhe komponentë tjerë, duke filluar nga hapja e e-mail adresave profesionale dhe kishin mësuar si të shkruajnë një e- mail, si ta përdorin platformën zyrtare të udhëzimit të karrierës në Busulla.com, kërkimi i opsioneve profesionale përmes intervistave me ata që tanimë kishin zgjedhur ato rrugë, shkrimi i CV-së dhe letrës motivuese, si dhe simulimi i intervistave të punës. Disa nga mësimdhënësit, arritën përtej pritshmërisë, duke u ofruar nxënësve një përvojë të mësimit gjithëpërfshirëse dhe të ritransmetuar rreth profesioneve të tyre. Ata u koordinuan që çdo mësimdhënës të kujdeset për komponentë të ndryshëm të udhëzimit në karrierë bazuar në profilet e tyre. Të gjithë mësimdhënësit ishin të motivuar dhe përkushtuar të mësojnë se si t’u ofrojnë nxënësve më mirë diturinë e nevojshme e cila do t’u hapë rrugë për një të ardhme më të mirë dhe më shumë mundësi punësimi. Ata mirëpritën opinionet e trajnerëve, madje edhe vazhduan që të regjistrohen për seanca trajnuese shtesë brenda programit ASSET. Rrëfimi për këta mësimdhënës dhe entuziazmit të tyre për t’u bërë më të mirë në profesionin e tyre tregon se si mësimdhënësit e Kosovës janë gjithnjë e më mirëpritës ndaj mundësive për t’u zhvilluar dhe t’i transmetojnë këto mjeshtri tek nxënësit e tyre. Sistemi ynë i arsimit, përkundër të gjitha kritikave që është i pazhvilluar, është duke u përmirësuar falë mbështetjes së iniciativave të ndryshme dhe programeve siç janë ASSET USAID.